Lajme Shqip Sunday, 08 May 2011 15:38

Tiranë – Kreu i prezencës së OSBE-së, në Shqipëri, Ambasadori Eugen Wollfarth, u shpreh për mediat gjatë takimit me Presidentin Bamir Topi, në kalanë e Petrelës se është mjaft e rëndësishme për qytetarët të votojnë sot dhe njëkohësisht përshëndeti prezencën e vëzhguesve të shumtë të ODIHR-it në këto zgjedhje.

“Jam i lumtur që kemi të pranishëm ODIHR-in me shumë vëzhgues, të cilët do të na japin këndvështrimin e tyre të pavarur. Me sa kemi parë zgjedhjet kanë filluar normalisht në shumicën e qendrave të votimit në orën 7:00 dhe presim të kemi përpara një ditë të qetë. I bashkohem mesazhit të presidentit për të gjithë qytetarët shqiptarë që nuk kanë votuar deri tani, të votojnë”.

Wollfarth theksoi se procesi i votimi është mjaft i rëndësishëm, ashtu si ai i numërimit dhe përshëndeti të gjithë komisionerët dhe policinë që po sigurojnë mbarëvajtjen e këtij procesi.

“Respektoj të gjithë komisionerët që janë në krye të detyrës sot, të cilët do të doja t’i përshëndesja ashtu si edhe policinë, që është duke i ofruar një shërbim qytetarëve, i cili nuk do të mbarojë në orën 19:00, por do të vijojë edhe gjatë procesit të numërimit të votave, që është gjithashtu i rëndësishëm si procesi i votimit”, tha Wollfarth.

“Do të doja të kujtoja se sot kemi shumë ndërkombëtarë që janë duke vizituar vendin këto ditë dhe dua ta shihni këtë si një mundësi që këta ndërkombëtarë të flasin për imazhin e mirë të këtij vendi, të flasin për këtë vend kaq mikpritës, kaq të bukur dhe do të doja ta konsideronit këtë si një kartë biznesi”, theksoi ambasadori i OSBE-së.

Në lidhje me procesin zgjedhor Wolfarth tha se “duhet të presim për ODIHR-in, deri sa ata të japin vlerësimet e tyre, përfundimet e vëzhgimeve të tyre. Dita vazhdon dhe besoj se janë pikërisht ata që duhet ta japin këtë vlerësim”.

Ndërkohë Wollfarth dërgoi edhe një mesazh për klasën politike shqiptare. “Mesazhi që unë kam për klasën politike është që të tregojnë vërtet aftësi lidershipi dhe të pranojnë rezultatet e këtij procesi zgjedhor. Ashtu sikurse pres që qytetarët të votojnë të lirë dhe të hapur. Por ajo që do të prisja më shumë është që politkanët të pranojnë rezultatet e këtij votimi”, përfundoi kreu i prezencës së OSBE-së, në Shqipëri, Ambasadori Eugen Wollfarth.