Lajme Shqip Thursday, 12 May 2011 20:55

Tiranë – Ambasadori i Prezencës së OSBE-së në Tiranë, Eugen Wollfarth, deklaroi mbrëmjen e sotme se procesi i numërimit të votave po bëhet i saktë dhe transparent.

Wolfarth, i cili po vëzhgoi procesin e numerimit të votave në njësinë 9, KZAZ nr.53, në Tiranë, e konsideroi si të rëndësishëm faktin se vota po numërohet drejt, por ai vlerësoi se ky proces duhet të ishte më i shpejtë.

“Ne jemi të sigurt se procesi i numërimit të votave po bëhet i saktë”, tha Wolfarth. Ai u kërkoi politikanëve të presin procesin e numërimit, te jenë të qetë dhe të presin rezultatin.

Kjo njësi, e cila është në përfundim të procesit të numërimit të votave për kryetar Bashkisë së Tiranës, ka patur një proces të ngadalshëm, për shkak të vonesave dhe zvarritjeve nga komisioneret e grupeve të numërimit.

Aktualisht, procesi i numërimit po vëzhgohet nga afër nga ndërkombëtarët, të cilët po ashtu, kanë monitoruar në vijimësi procesin paraelektoral, ditën e votimeve si dhe po ndjekin nga afër edhe procesin e numërimit.

Në ditën e zgjedhjeve ishin të pranishëm rreth 5000 vëzhgues vendas dhe të huaj, të cilët rreth 400 vëzhgues i përkasin misionit të OSBE/ODIHR-it, të cilët dy ditë pas 8 majit nxorrën edhe konkluzionet paraprake të procesit elektoral të zgjedhjeve vendore.

Në raportin paraprak u theksua se procesi ishte transparent, por u karkterizua nga mosbesimi mes palëve.