Lajme Shqip Wednesday, 04 May 2011 15:33

Tiranë – Ambasadori i OSBE-së në Tiranë, Eugen Wolfarth, i bëri apel qytetarëve shqiptarë që ta konsiderojnë 8 majin, si ditën e demokracisë dhe me besim te sistemi të ushtrojne të drejtën e tyre për të votuar kandidatin e tyre të preferuar.

“Presim që e diela të jetë një ditë e qetë, te konsiderohet nga të gjithë si një ditë e demokracisë, një ditë kur qytetarët shqiptare, duke pasur besim te sistemi, në mënyrë të civilizuar, të ushtrojnë të drejtën e tyre për të votuar”, u shpreh Wolfarth.

Pas një takimi që kreu i OSBE-së zhvilloi të mërkurën me ministrin e Brendshem, Bujar Nishani, Wolfarth  vlerësoi përgatitjet e shkëlqyera që Policia ka bërë, duke krijuar një mjedis paqësor, por e rëndësishme për të   është që qytetarët të mos ndihen të kërcënuar dhe  të kontribuojnë duke u sjellë në mënyrë të qetë dhe të civilizuar, pasi i kanë të gjitha të drejtat për të shprehur vullnetin e tyre përmes votës.

“Qeveria qendrore dhe lokale kanë bashkëpunuar dhe kanë bërë një punë mjaft të mirë për përgatitjen e infrastrukturës zgjedhore, në përgatitjen e listave zgjedhore, të cilat do të shërbejnë edhe për zgjedhjet e ardhshme dhe jemi optimiste se zgjedhjet e 8 majit, do të jenë zgjedhjet më të mira që ka pasur ndonjëherë Shqipëria”, u shpreh Ambasadori Wolfarth.

OSBE dhe ODHIR, tha ai, janë të pranishme dhe po ndjekin  nga afër përgatitjet për procesin zgjedhor, por e rëndësishme për to mbetet kontributi i qytetarëve në mënyrë paqësore dhe të civilizuar.

Ambasadori Wolfartth  u shpreh i bindur se, në 8 maj Policia do t’i shërbejë të gjithë qytetarëve, pavarësisht bindjeve politike, pasi ajo është shumë e ndërgjegjëshme për të drejtat e qytetarëve.

Nga ana e tij, ministri Nishani vlerësoi mbështetjen që OSBE ka dhënë në përgatitjen e infrastrukturës zgjedhore. “E rëndësishme mbetet ndihma që OSBE ka dhënë për krijimin e Regjistrit Kombëtar të Gjendjes Civile, produkti i rëndësishëm i të cilit mbeten listat zgjedhore, të përpiluara sipas një standarti bashkekohor”, tha ai.

Ministri Nishani vlerësoi edhe ndihmën që OSBE  ka dhënë në përgatitjen e Policisë së Shtetit për menaxhimin e situatës para, gjatë dhe pas zgjedhore.