Lajme Shqip Saturday, 16 April 2011 11:05

Tiranë – Karta e idententitetit dhe pasaporta për jashtë shtetit, do të jenë dy dokumentet, me të cilët shtetasit shqiptarë do të votojnë në zgjedhjet vendore të 8 Majit.
Burimet zyrtare nga ministria e Brendshme,  bënë të ditur sot se, “dokumentet që do t’u lejojnë zgjedhësve të drejtën e ushtrimit të votës së tyre në zgjedhjet e 8 Majit, janë kartat e identitetit, pasaporta biometrike, apo edhe pasaporta tjetër e udhëtimit, e vlefshme deri në ditën e zgjedhjeve apo edhe pas saj.”
Ndërkohë që vetëm një javë më parë, ministria e Brendshme njoftoi  mbylljen përfundimtare të listës së zgjedhësve në të gjithë vendin.  Zv/ministri Për Pushtetin Vendor, Ferdinand Poni, deklaroi se “në datën 8 prill, janë gjeneruar në Regjistrin Elektronik të Gjendjes Civile, listat përfundimtare të zgjedhësve, të cilat janë afishuar në faqen elektronike të Ministrisë së Brendëshme.”
Bërja transparente e këtyre listave, u krijon mundësinë të gjithë shtetasve që do të votojnë në zgjedhjet vendore, që të mund të gjejnë emrin e tyre në to dhe për çdo pasaktësi, apo pretendim tjetër, të mund ta zgjidhin atë para ditës së zgjedhjeve.
Lista përfundimtare e qytetarëve që pritet të votojnë në zgjedhjet vendore të 8 majit, numëron 3 164 859 zgjedhës, të ndarë në 4932 qendra votimi në gjithë territorin, të cilat pasi janë gjeneruar në regjistrin e Gjendjes Civile  janë printuar nga nëpunësit e Gjendjes Civile dhe u janë dërguar kryetarëvë të njësive vendore.  
“Pas gjenerimit në regjistrin civil dhe printimin pothuaj nga të gjitha zyrat e gjendjes civile, listat  janë nënshkruar nga të zgjedhurit vendor dhe janë dorëzuar pranë KZAZ në të gjithë territorin, me përjashtim të katër njësive vendore, në Bogovë, Qafe Berat, Pojan dhe Shosh, të cilat pritet të përfundojnë këto ditë.
Zv/ministri i Brendshëm, Ferdinand Poni, e cilëson listën përfundimtare të zgjedhësve, të pastruar nga dublimet, heqjen e personave të vdekur, apo atyre që kanë lënë shtetësinë, të një cilësie të lartë, duke garantuar një standart për zgjedhjet.