Lajme Shqip Friday, 22 April 2011 11:00

Vlorë – Koalicioni “Aleanca për Qytetarin” në qytetin e Vlorës ka një subjekt më tepër, krahasuar me numrin e partive që u bënë pjesë e tij në shkallë vendi, në prag të çeljes së fushatës elektorale për zgjedhjet vendore të 8 majit.

Partia Lëvizja Punëtore Shqiptare, që përfaqëson interesat e komunitetit egjiptas, i është bashkuar koalicionit duke mbështetur kandidatin Ardian Kollozi.

Kryetari i kësaj partie, Shevqet Musaraj, tha se forca politike që ai drejton është e orientuar drejt të majtës dhe në zgjedhje të kaluara ka qenë pjesë e koalicioneve të majta.

“Por, në ndryshim nga fushatat paraadhëse, ne vendosëm të bashkohemi me koalicionin “Aleanca për Qytetarin”, për shkak të zhgënjimeve tona dhe duke qenë të bindur se te programi i kandidatit Ardian Kollozi, gjejmë të konkretizuara interesat e komunitetit egjiptas dhe të Vlorës”, theksoi Musaraj.

Ai tha se forca politike që drejton shtrihet në 12 rrethe të vendit me degët e saj dhe ka një histori 11 vjeçare, ndërkohë që në këshillin bashkiak të Vlorës është përfaqësuar me një anëtar në zgjedhjet lokale të vitit 2000 dhe 2003.

“Komuniteti egjiptas në Vlorë përbën rreth 25 përqind të popullsisë dhe aktualisht, ne kemi rreth 6000 zgjedhës aktivë në këtë qytet”, theksoi kreu i Partisë Lëvizja Punëtore Shqiptare.

Kjo forcë politike është një nga 56 subjektet konkurruese në zgjedhjet vendore të 8 majit, e regjistruar në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve dhe një nga dy partitë që e ka qendrën në qytetin e Vlorës, krahas Partisë Aleanca Kombëtare Shqiptare.