Lajme Shqip Friday, 06 May 2011 18:13

Vlorë – Prej ditës së sotme, të gjithë punonjësit e policisë, që do të angazhohen në procesin zgjedhor, kanë kaluar në shërbim të përforcuar deri në përfundim të këtij procesi.
Burime zyrtare të Drejtorisë së Policisë së Qarkut të Vlorës bënë të ditur për ATSH-në se në të gjithë Qarkun janë ngritur 346 Qendra Votimi, 6-të Vende të Numërimit të Votave dhe 6-të Komisione Zonale të Administrimit të Zgjedhjeve. Vetëm në rrethin e Vlorës KZAZ-të dhe QNV-të janë vendosur në shkollat e mesme “Ali Demi” dhe “Halim Xhelo”, si dhe në Pallatin e Sportit Flamurtari.
Ndërkohë, Drejtoria e Policisë e Qarkut Vlorë garanton se janë marrë të gjitha masat për të siguruar mbarëvajtjen e të gjithë procesit zgjedhor deri në përfundim të tij.
Në të gjithë Qarkun e Vlorës janë përfshirë 369 punonjës policie, të cilët në bazë të ligjit do të garantojnë detyrat që programohen për zgjedhjet, për të cilat ata edhe janë trajnuar.