Lajme Shqip Sunday, 08 May 2011 15:31

Vlorë – Procesi i votimit në qytetin e Vlorës po vijon normalisht, ndërsa deri në orën 15.00 shkalla e pjesëmarrjes në të llogaritej rreth 35 %. Kjo shifër e pjesëmarrjes së qytetarëve në proccesin e votimit konsiderohet e kënaqshme dhe pritet të rritet më tej.

Nënkryetari i KZAZ me numër 61, Agron Gjipali, tha për ATSH-në se atmosfera zgjedhore është mjaft e qetë dhe nuk ka ngjarje që mund të cënojnë këtë proces. Sipas tij, problemet e vogla teknike që u regjistruan në fillim të këtij procesi, u zgjidhën në kohë.

Ndërkohë, votuan edhe dy kandidatët për kryetar bashkie në Vlorë, Ardian Kollozi, përfaqësues i koalicionit “Aleanca për Qytetarin” dhe Shpëtim Gjika, i koalicionit “Aleanca për të Ardhmen”, të cilët nënvizuan për median se ky proces po ecën normalisht. “Përtej emrave, e rëndësishme është të arrijmë standardet”, tha Kollozi, ndërkohë që Gjika rikonfirmoi atmosferën e qetë që mbizotëron në Vlorë dhe në të gjitha qendrat e votimit.