Lajme Shqip Wednesday, 13 April 2011 09:08

Vlorë – Partia Republikane, pjesë e koalicionit “Aleanca për Qytetarin”, çeli mbrëmë në Vlorë fushatën elektorale për zgjedhjet vendore të 8 majit.

Kryetari i kësaj force politike, Fatmir Mediu, në fjalën e vet u ndal në alternativën që ofron maxhoranca e sotme, e cila sipas tij, ka vetëm një synim, rrugën drejt Evropës. “Rruga drejt Evropës, është ëndrra jonë”, theksoi mes të tjerash Mediu. Ai tha se, maxhoranca qeverisëse premtoi anëtarësimin në NATO, duke e bërë atë realitet. “Sot Shqipëria është anëtare e NATO-s, përkrah vendeve më të fuqishme të botës”, nënvizoi ai, ndërkohë që shtoi se, Aleanca e Atlantikut Verior, është jo vetëm ushtarake, por para së gjithash politike.

Partia Republikane, si pjesë e koalicionit “Aleanca për Qytetarin”, mbështet në këto zgjedhje kandidatin për kryetar bashkie, Ardian Kollozi, i cili në fjalën e vet u ndal në disa aspekte të programit të vet, duke e vënë theksin tek masterplani për Vlorën, që sipas tij, “u jep zgjidhje problemeve të qytetit, në një perspektivë 30 vjeçare”. Ai tha se aksioni i tij për qytetin, synon t’i thotë stop zhvillimit spontan dhe shkatërrimit urban të Vlorës, synon të rikonceptojë hapësirën urbane, duke ridimensionuar sipërfaqet e gjelbra.