Lajme Shqip Sunday, 01 May 2011 13:26

Vlorë – Në një mjedis akademik, në një nga universitetet private në Vlorë, kandidati i Koalicionit “Aleanca për Qytetarin”, Ardian Kollozi, prezantoi projektin e tij për zhvillimin e Vlorës së 30 viteve të ardhshme.

Sipas Kollozit, ky projekt që do të shërbejë si bazë për planin e përgjithshëm rregullues të Vlorës, që ai synon ta realizojë brenda 6 muajsh pas 8 majit, është konceptuar në bashkëpunim me dy studio të huaja me përvojë ndërkombëtare, italiane dhe izraelite.

“Projekti prezanton vizionin tonë për Vlorën, tregon filozofinë dhe konceptin tonë për Vlorën e ardhshme të pas 8 majit”, theksoi Kollozi në fjalën e vet, duke theksuar se brenda 6 muajsh do të realizohet plani i ri rregullues për qytetin.

Në vizionin e tij, përfshihet ndërtimi i një “lungomareje” përgjatë detit nga Uji i Ftohtë në Zvërnec, ndërkohë që qyteti do të kthehet simbolikisht me fytyrë nga deti.

“Projekti i qytetit me disa qendra (policentrik), bazohet tek rivitalizimi i Vlorës së vjetër, ridimensionimi i Sheshit të Flamurit dhe ai i Skelës”, theksoi kandidati demokrat për Bashkinë e Vlorës.

Sipas tij, ndërtimi i unazës së vogël dhe unazës së madhe do të zgjidhë përfundimisht problemin e qarkullimit në qytet, ndërkohë që së bashku me projektin e ndërtimit të tramvajit zgjidhet plotësisht edhe transporti publik.

Kandidati demokrat ka garantuar gjithashtu se, brenda katër muajsh do të zgjidhet problemi i furnizimit 24 orësh të qytetit me ujë të pijshëm dhe brenda 18 muajsh, Sheshi i Flamurit do të shndërrohet në një mjedis të denjë për historinë e tij.

Nga ana tjetër, kandidati i koalicionit “Aleanca për të Ardhmen”, Shpëtim Gjika, njëkohësisht kryetar aktual i Bashkisë së Vlorës, në vizionin e tij përcjell mesazhin e Vlorës Evropiane.

“Në dy mandatet paraardhëse, sloganet ishin për “Vlorën e Ndryshimit” dhe “Vlorën e Zhvillimit”, ndërkohë që në mandatin e tretë vizioni ynë është për Vlorën Evropiane, si një qytet me profil të qartë perëndimor”, shprehet Gjika, gjatë paraqitjes së programit të vet.

Ai sqaron se, si asnjë qytet tjetër në Shqipëri, Vlora ka tashmë të plotë sistemin nëntokësor inxhinierik, ku përfshihen kanalizimet e ujrave të bardha dhe të zeza, ujësjellësi, sistemet e telefonisë fikse dhe internetit, të realizuara në 7 vitet e fundit. “Kjo na jep mundësinë që të jemi më të qartë në perspektivën e qytetit dhe në realizimin e investimeve, në përshtatjen e infrastrukturës sipas standardeve më të përparuara të kohës”, shprehet Gjika.

“Vlora do të shndërrohet në qendrën më të madhe të turizmit në Shqipëri”, garanton kandidati Ardian Kollozi, ndërkohë që nga ana tjetër, rivali i tij socialist Gjika siguron se, “Vlora e të ardhmes do të jetë me profil turistik”.

Në këto “përplasje” alternativash po rrugëton kjo fushatë në qytetin e Vlorës e cila duhet theksuar se po zhvillohet me dimensione qytetare dhe qytetarie.

“Fakti që nuk ka patur asnjë incident, që gjithçka po ecën mjaft qetë, reflekton edhe shpirtin e qytetarisë dhe edukatës vlonjate”, thotë Sandri, një emër i njohur në rrethet e shoqërisë civile në Vlorë.