Lajme Shqip Thursday, 14 April 2011 09:42

Vlorë – Kandidati i Koalicionit “Aleanca për Qytetarin” për Bashkinë e Vlorës, Ardian Kollozi, u ka premtuar të rinjve se gjatë mandatit të tij në krye të kësaj njësie të qeverisjes vendore, kjo grupmoshë e popullsisë do të jetë pjesë e vendimmarrjes.

“Pas 8 majit, do të realizoj një pakt me studentët e dy universiteteve të Vlorës, “Pavarësia” dhe “Ismail Qemali”, për të thithur energjitë e tyre për qytetin e të ardhmes”, theksoi zoti Kollozi, në një takim që zhvilloi  me të rinj dhe të reja që kanë përfunduar studimet në universitete jashtë vendit.

Sipas tij, përqindja e të rinjve në qytet është e lartë, por ata janë përjashtuar tërësisht nga vendimmarrja. Në këto kushte, tha ai, do të rikonceptohet profili dhe administrata e bashkisë, struktura e funksionimit të saj, për t’u dhënë hapësirën e duhur të rinjve. Kandidati për kreun e bashkisë së Vlorës, tha se, të rinjtë e pranishëm në këtë takim, janë pjesë e grupit të hartimit të programit të tij për drejtimin e Vlorës të të ardhmes, çka përbën dhe një arsye tjetër për ta vlerësuar rininë në tërë potencialin e saj intelektual.

“Në planet për rininë, përfshihet edhe organizimi i një jave të posaçme që do të shërbejë si një event për rininë vlonjate dhe pse jo edhe për atë të vendit dhe nga vende të ndryshme të Evropës”, evidentoi Kollozi. Ai tha se, do të ketë transparencë për çdo vendimmarrjes, përmes aplikimit të një mekanizmi të detajuar, ku përfshihet edhe një botim i bashkisë.