Lajme Shqip Friday, 29 April 2011 08:20

Vlorë – Kandidati për kryetar i Bashkisë së Vlorës i koalicionit “Aleanca për Qytetarin”, Ardian Kollozi, garantoi mbrëmë se do t’u japë fund praktikave klienteliste në dhënien e lejeve të ndërtimit në këtë qytet.

Gjatë një takimi që zhvilloi me banorë të lagjes “Lirimi”, zoti Kollozi u informua për një shqetësim të tyre që lidhet me ndërtimin e një pallati të ri, që rrezikon shembjen e banesave dhe nuk respekton distancat nga një pallat ekzistues banimi. Kandidati demokrat garantoi se kjo leje ndërtimi, ashtu si edhe mjaft të tjera që janë dhënë në mënyrë abuzive nga stafi aktual i bashkisë, do të anullohen pas fitores së 8 majit.

“Unë ju garantoj se do t’u jap fund praktikave klienteliste në dhënien e lejeve të ndërtimit”, u shpreh Kollozi. Ai tha se praktika të tilla kanë dëmtuar qytetin, e kanë betonizuar atë dhe kanë cënuar rëndë perspektivën dhe profilin e tij turistik. Në këtë këndvështrim, kandidati demokrat për bashkinë e Vlorës ka premtuar se plani i tij për Vlorën synon rivitalizimin urban të saj, rikonceptimin e mjediseve të gjelbra dhe hapësirës publike.

Shembulli i papërgjegjshmërisë së stafit aktual të bashkisë, sipas tij, janë rrugët e dëmtuara të lagjes “Lirim”, një nga zonat më të vjetra në qytetin e Vlorës.