Lajme Shqip Monday, 02 May 2011 07:33

Vlorë – Kandidati për kryetar të Bashkisë së Vlorës, i Koalicionit “Aleanca për Qytetarin”, Ardian Kollozi, premtoi gjatë një takimi të zhvilluar mbrëmjen e djeshme me banorë të rajonit numër 3 të këtij qyteti, se do të ndryshojë raportin e investimeve nga të ardhurat e bashkisë.

“Aktualisht, vetëm 25 për qind e buxhetit vjetor të bashkisë prej 1.2 miliardë lekësh, është destinuar për investime, ndërkohë që pjesa tjetër prej 75 për qind shkon për paga, sigurime shoqërore dhe shpenzime operative”, theksoi Kollozi. Sipas tij, ky është një tregues mjaft i ulët, që reflekton edhe tendencën dhe paaftësinë e stafit aktual të bashkisë për të menaxhuar taksat e qytetarëve dhe për të garantuar investime që i shërbejnë qytetit.

Kandidati demokrat tha se, administrata e bashkisë është trefishuar, çka shton në mënyrë artificiale pjesën e buxhetit për të mbajtur atë, ndërkohë që duhet të ndodhë e kundërta. Në këto rrethana, ai nënvizoi se, lehtësimi i paketës fiskale me rreth 50 për qind, që përbën një nga objektivat e tij dhe zgjerimi i bazës së tatimpaguesve, së bashku me ndryshimin e raportit të buxhetit, do të krijojnë një bazë mjaft të mirë për shtimin e investimeve dhe nxitjen e zhvillimit cilësor të qytetit në të gjitha fushat.