Lajme Shqip Friday, 15 April 2011 09:12

Vlorë – Kandidati për kryetar i Bashkisë së Vlorës, përfaqësues i koalicionit “Aleanca për Qytetarin” në zgjedhjet vendore të 8 majit, Ardian Kollozi, deklaroi mbrëmjen e djeshme, gjatë një takimi me banorë të zonave informale në Ujin e Ftohtë, se do të vazhdojë të ndjekë dhe të mbështesë me të gjitha energjitë, procesin e legalizimit të banesave deri në njohjen e pronësisë së tyre në favor të atyre që i kanë ndërtuar ato.
Sipas Kollozit, gjatë mandatit të tij si kryetar bashkie, ky proces mjaft i rëndësishëm do të vazhdojë me intensitet deri në përfundimin e tij dhe çertifikimin e pronës.

“Në cilësinë e kryetarit të bashkisë do të jem një mbështetje e plotë për ju, për ta përfunduar këtë proces që ka nisur maxhoranca e sotme”, theksoi Kollozi, ndërkohë që prezantoi vizionin e tij për ta shndërruar këtë zonë në një hapësirë urbane të zhvilluar, me profil turistik. Sipas tij, “do të përgatitet plani urbanistik i kësaj zone, ku do të parashikohet transformimi i saj me standardet e duhura”.
Në këndvështrimin e Kollozit, studimi i plotë urbanistik i kësaj zone, parashikon ndërtime me numër katesh të kufizuara, me rrugë dhe infrastrukturën  e nevojshme, çka përputhet edhe me strategjinë e maxhorancës për zonat informale, sipas të cilës procesi i legalizimit vijon me atë të urbanizimit.