Lajme Shqip Tuesday, 10 May 2011 20:17

Tiranë – Koalicioni i vëzhguesve vendorë publikoi sot raportin paraprak për ecurinë e procesit të zgjedhjeve vendore, ku në tërësi e vlerëson pozitiv procesin e votimit në 8 maj.

Në raportin paraprak të vëzhguesve vendorë, thuhet se dita e votimit ishte e qetë dhe pa incidente serioze që mund të prishnin procesin në tërësi. “U raportuan një sërë shkeljesh proceduriale si, vonesa në hapjen e qendrave të votimit etj, por që nuk kanë cënuar procesin”, thuhet në këtë raport.

Vëzhguesit vendorë raportojnë se radhët e gjata të qytetarëve në qendrat e votimit, kryesisht në pjesën e dytë të ditës, sollën mbylljen me vonesë të qendrave të votimit, megjithatë vërehet se mbyllja e këtyre qendrave është bërë konform procedurave dhe dorëzimi i materialeve zgjedhore pranë KZAZ-ve është bërë konform ligjit.

Sipas vëzhguesve vendorë, “KQZ arriti të menaxhojë ngritjen e komisioneve në afate shumë të ngushta kohore”. “Funksionimi i KQZ-së dhe komisioneve të dyta dhe të treta rriti cilësisht nivelin e transperencës në këtë proces”, thuhet në raport.

Për sa i përket ecurisë së fushatës zgjedhore, vëzhguesit vendorë vlerësojnë se retorika politike pati një përmirësim në fazën e fundit të fushatës edhe pse klima politike kur nisi procesi ishte e polarizuar skajshëm.

Raporti vlerëson gjithashtu se hartimi i listave të zgjedhësve shënoi përmirësime të mëtejshme, ndërsa policia e shtetit dëshmoi profesionalizëm dhe korrektësi në përmbushjen e detyrave.