Lajme Shqip Sunday, 08 May 2011 10:24

Tiranë – Koalicioni i vëzhguesve vendorë publikoi sot, rreth orës 11:15 raportin paraprak për nisjen e procesit të votimit në të gjithë vendin, proces i cili vlerësohet se ka nisur dhe po vijon normalisht.

“Hapja e procesit të votimit ka qenë në përgjithësi pa probleme dhe me një klimë të qetë, por gjithësesi janë vërejtur disa probleme teknike”, thuhet në këtë raport paraprak mbi ecurinë e hapjes së qendrave të votimit.

Vëzhguesit vendorë vlerësojnë veçanërisht rolin dhe pozicionimin e forcave të rendit në respekt të detyrimit të tyre ligjor.

Përmes 900 vëzhguesve të shpërndarë në gjithë vendin, koalicioni i vëzhguesve vendorë mbulon një zonë më të gjërë se sa në proceset e tjera të votimit.

Koalicioni i vëzhguesve vendorë është organizuar në terren me 450 ekipe lëvizëse me 2 vëzhgues secili ekip të cilat monitorojnë 65 bashkitë më të mëdha të vendit dhe një pjesë të mirë të komunave të Shqipërisë.