Lajme Shqip Saturday, 14 May 2011 17:28

Tiranë – Kryeministri Sali Berisha kërkoi të shtunën, që qytetarët dhe simpatizantët e të gjitha forcave politike të presin me civilitet dhe qytetari, rezultatin e shpallur nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, për të përcaktuar kandidatin fitues për kreun e Bashkisë së Tiranës.

Kryeministri Berisha doli në një konferencë për shtyp, vetëm pak minuta pas përfundimit të procesit të numërimit të votave në KZAZ-në nr 49, të njësisë bashkiake nr.5 në kryeqytet, në të cilën u numërua edhe kutia e fundit e votimit për zgjedhjen e kreut të bashkisë së Tiranës.

“Kjo garë numërimi, e cila u ndoq me interesin më maksimal, ka përfunduar në një ngushticë të paimagjinueshme votash. Sipas databazës së selisë së PD-së, Lulzim Basha është fitues me pak vota, ndërsa sipas databazës të selisë rozë, Edi Rama është fitues me pak vota”, tha Berisha.

Kur ende nuk është shpallur rezultati final nga KQZ, Kryeministri Berisha u bëri thirrje qytetarëve, anëtarëve, militantëve dhe mbështetësve të PD-së, por edhe të të gjitha forcave të tjera politike, që të presin me interes, por me civilitet dhe qytetari të vërtetë, finalizimin e procesit.

Kryeministri theksoi se “në çdo vend të botës, një proces i ndarë me vota që shkojnë kaq ngushtë, ka një legjitimitet për t’u rishqyrtuar nga qeliza në qelizë”.

“Ky vend ka një sistem shqyrtimi ankesash absolutisht ndër më seriozët dhe më të vlerësuarit, të cilit ne nuk mund t’i hedhim as hijen më të vogël të dyshimit. Në përputhje me ligjin e vendit, me Kodin Zgjedhor, KQZ është i detyruar të përllogarisë dhe të shpallë vetëm atë rezultat që konfronton një për një, të dhënat në procesverbalet e qendrave të votimit me të dhënat e tabelave të komisioneve të zonave. Në të gjitha rastet, janë të dhënat e qendrave të votimit ato që prevalojnë në rast se ka diskordancë midis tabelës dhe qendrës së votimit”, tha Kryeministri.

Berisha nuk pranoi të japë ndonjë shifër mbi avantazhin e kandidatit të mbështetur nga maxhoranca, por shprehu bindjen se “realisht jemi para me vota”.

“Nuk kam shpallur këtu asnjë të dhënë. Ato do të pres t’i shpallë në mënyrë përfundimtare KQZ mbi procedurën e bazuar mbi konfronimin e të dhënave të qendrave të votimit me tabelën e KZAZ-ve. Asnjë njeri në botë nuk del jashtë teorisë së gabimit. Rezultatet do shqyrtohen dhe janë transparente. Do të dalë ai rezultat dhe ne nuk do ta vemë në diskutim, padyshim ka disa ankesa, për të cilat palët do t’i drejtohen sistemit të ankimimit”, tha Kryeministri.

Ai përshëndeti të gjithë komisionerët për punën e bërë dhe kërkoi që të kontrollohen emocionet nga simpatizantët e forcave politike edhe pse ato janë emocione pozitive.

“Ashtu sikurse ne zhvilluam këtë garë të mrekullueshme, le të presim shqyrtimin dhe fjalën finale të KQZ-së. Dua të përshëndes të gjithë numëruesit, komisionerët, vëzhguesit dhe të falënderoj përfaqësitë diplomatike të akredituara në Tiranë që e ndoqën këtë proces me vëmendje dhe përkushtim”, tha Berisha.

Kryeministri ftoi edhe kandidatët që të pranojnë këtë qëndrim, si qëndrimin më me interes të secilit prej tyre.