Lajme Shqip Tuesday, 03 May 2011 08:29

Tropojë – Projektet e zhvillimit të mëtejshëm turistik të luginës së Valbonës janë në qendër të premtimeve të dy kandidatëve për kryetar komune të Margegajt, në rrethin e Tropojës. Edhe pse të afërm me njëri – tjetrin, të dy kandidatët premtojnë shtimin e investimeve në këtë zonë për shfrytëzimin e resurseve turistike.

“Janë të gjitha mundësitë për shfrytëzimin efikas të investimeve në shërbim të turizmit, veçanërisht të rregullimit të infrastrukturës rrugore, ku ka shumë mangësi. Po ashtu, edhe në drejtim të furnizimit me ujë të pijshëm të fshatrave të zonës”, thotë kandidati i PS-së për kryetar komune, Zeqir Biberaj.

“Ndër prioritetet kryesore është asfaltimi i aksit rrugor Bajram Curr – Valbonë dhe ndërtimi i rrugës së Çeremit, tenderi i të cilit pritet të kryhet këto ditë. Ndërsa ka përfunduar hartimi i projektit të zhvillimit turistik, zbatimi i të cilit i jep zhvillim të mëtejshëm turizmit në këtë zonë”, thotë kandidati i PD-së për kryetar komune dhe kryetari aktual, Rexh Biberaj.

Sot në Valbonë përurohet xhamia e re dhe nënshkruhet marrëveshja e binjakëzimit të komunës me njësinë vendore të Mamushës së Prizrenit. “Janë veprimtari që nxisin më tej vëllazërimin mes shqiptarëve”, thotë Biberaj.

Lugina e Valbonës ka tërhequr vëmendjen, jo vetëm të turistëve vendas dhe nga Kosova, por edhe të turistëve të huaj. Ata janë gjithnjë të pranishëm, duke shfrytëzuar bukuritë malore të trevës, gjatë gjithë vitit.

Kjo luginë turistike, me përrenjtë e lumenjtë e shumtë që kanë një pikë derdhjeje, lumin e Valbonës, është e vizitueshme edhe për liqenet akullnajore si liqenet e Jezercës, Majës së Hekurave, Valbonës, Jukës, etj.

Janë këto pasuri që tërheqin vizitorët në çdo stinë të vitit e që kanë shtuar interesin e banorëve për t’i dhënë një zhvillim më të madh turizmit si një mundësi efikase për zhvillimin ekonomik të zonës.

Në shërbim të vizitorëve në këtë zonë funksionon edhe një qendër informacioni, kulture dhe muzeale në fshatin Valbonë, e ndërtuar vitin e kaluar, me një fond prej 430 mijë eurosh, të financuar nga FSHZH-ja. Prej kësaj qendre kulturore vizitorët përfitojnë informacionin e domosdoshëm për të gjitha objektet kulturore e turistike me interes për t’u vizituar.

Interesi turistik për këtë zonë është në rritje të vazhdueshme. “Tashmë çdo ditë vizitojnë këtë zonë turistike mbi 150 persona vendas e të huaj”, thotë Biberaj. Vizitorë të shumtë vijnë veçanërisht nga Kosova. Ndërsa të huajt sa herë që vijnë qëndrojnë me ditë të tëra. Është kjo arsyeja që edhe kandidatët për kryetar të kësaj komune, në programet e tyre, i kanë kushtuar një rëndësi të madhe projekteve për zhvillimin turistik të zonës.