Lajme Shqip Saturday, 30 April 2011 09:53

Tropojë – Kur ka mbetur edhe një javë nga dita e zgjedhjeve në rrethin e Tropojës ende nuk ka nisur procesi i ngritjes së komisioneve të qendrave të votimit. Duke e bërë të ditur këtë fakt, kryetari i KZAZ-së nr. 36, Afrim Geghyseni, tha se, “u kemi bërë thirrje të vazhdueshme partive politike për sjelljen e propozimeve për anëtarët e komisioneve të qendrave të votimit, por deri tani forcat politike kanë qenë indiferente. Kjo ka bërë që puna jonë për ngritjen e komisioneve të qendrave të votimit të bllokohet tërësisht”.

Sipas tij, ky eshte shqetësim i madh, pasi po rrezikohet i gjithë procesi zgjedhor dhe e gjithë përgjegjësia bie mbi forcat politike që nuk po sjellin kandidatët e tyre për anëtare të komisioneve të qendrave të votimit, sic janë PD, PS, PBDNJ dhe LSI.

Në rrethin e Tropojës janë regjistruar në listat e votimit 20300 votues, prej të cilëve 5876 votues janë të regjistruar në listat e votimit të bashkisë së Bajram Currit, ndërsa pjesa tjetër në 7 komunat e këtij rrethi. Ndërsa për një proces normal votues më 8 maj në shkallë rrethi do të hapen 74 qendra votimi gjithsej.

Për këshilltarë në këshillat lokale janë regjistruar për të marrë pjesë 25 parti politike gjithsej, prej të cilave 16 të koalicionit “Aleanca për qytetarin” dhe 9 të koalicionit “Aleancas për të ardhmen”. Veç kandidatëve nga këto dy koalicione, në komunat e Lekbibajt e të Bytycit kandidojnë për kreun e njësisë vendore edhe përfaqësues të LZHK-së, ndërsa në komunën e Bujanit kandidon edhe një përfaqësues i PBDNJ-së.