Lajme Shqip Friday, 06 May 2011 12:29

Tiranë – Presidenti Bamir Topi u drejtoi sot një mesazh qytetarëve shqiptarë që të ushtrojnë verdiktin e tyre kushtetues përmes votës së fshehtë më 8 maj dhe që zgjedhja e tyre të jetë e  lirë dhe jashtë çdo ndikimi pengues për kandidatët dhe partitë politike që besojnë më shumë.

Në mesazhin e tij drejtuar zgjedhësve, Kreu i Shtetit thekson se “për herë të gjashtë në 20 vjet ju keni të gjithë pushtetin dhe hapësirën e nevojshme për të vendosur me votën tuaj për qeverisjen lokale të katër viteve të ardhshme”.

Sipas tij, 8 maji meriton të jetë një ditë reflektimi e korrektimi për të gjitha gabimet e kaluara zgjedhore, një ditë që mbyll një kapitull tranzicioni dhe dëshmon se shoqëria shqiptare i ka pranuar dhe bërë të vetat vlerat e larta demokratike të familjes evropiane.

“Në ditët, muajt dhe vitet që vijnë, ju me të drejtë do të kërkoni të keni cilësi më të lartë jetese, qytete dhe komuna më të zhvilluara, më shumë vende pune, shkolla e kopshte, më shumë rrugë të reja e infrastrukturë moderne; më shumë siguri ekonomike dhe sociale, më shumë transparencë në vendimmarrje dhe politikë qytetare”, nënvizoi Topi.

Duke vënë në dukje se administrimi zgjedhor në Shqipëri është atribut ligjor direkt i partive politike dhe se vullneti i tyre  është faktor përcaktues në cilësinë e zgjedhjeve, Presidenti thekson se “as detajet teknike dhe as natyra partizane e procesit, nuk mund të zëvendësojnë peshën dhe rolin përcaktues që ka vota qytetare më 8 maj”.

Më tej Kreu i Shtetit vlerëson se Shqipëria meriton një qeverisje lokale efektive, proces zgjedhor të standardeve demokratike, demokraci funksionale dhe politika afatgjata zhvillimi dhe integrimi.

“Ky është rasti që të demostrohet ky vullnet politik. Kjo është sprova më e madhe për partitë politike dhe udhëheqësit e tyre politikë”, shprehet ai.

Topi shpreh besimin që dita e votimit të kalojë në atmosferë të qetë, që administrimi i votës të jetë korrekt dhe në kohë, që KQZ, komisionet e niveleve të dyta dhe grupet e numërimit, të jenë zbatues të paanshëm të ligjit, që vëzhguesit vendorë e të huaj të ushtrojnë pa asnjë vështirësi funksionin e tyre.

“Pres dhe kërkoj nga institucionet e rendit dhe sigurisë, prokuroria, gjykatat dhe Kolegji Zgjedhor, të jenë aktivë dhe tërësisht profesionalë në përmbushjen e misionit të tyre ligjor”, deklaroi Topi.

Në përfundim të mesazhit të tij, Kreu i Shtetit fton edhe një herë qytetarët që të marrin pjesë në zgjedhje, për t’i dhënë jetë e forcë demokracisë funksionale, pasi kështu ndihmojnë që me zgjedhjen e tyre  të lirë, të shkurtojnë rrugën evropiane të Shqipërisë.