Lajme Shqip Saturday, 21 May 2011 13:59

Tiranë – Presideti Bamir Topi, i shoqëruar nga ambasadorët e SHBA-së, BE-së dhe OSBE-së ne Tiranë, i bëri thirrje të shtunën klasës politike që t’i largohet retorikës së ashpër dhe të mos krijojë situata tensioni.

Në një prononcim për mediat pas takimit me tre ambasadorët në Presidencë, Kreu i Shtetit apeloi për qetësi dhe respektim të ligjit.

“Ne nuk jemi në epokën para ligjit, por në epokën kur ka ligj dhe ai është i detyrueshëm të respektohet nga cilido dhe pa paragjykuar askënd”, tha Topi ndërsa vuri në dukje se “kodi zgjedhor dhe ndryshimet kushtetuese të realizuara me vullnetin ekskluziv të dy partive kryesore më 21 prill të 2008, administrimi i procesit zgjedhor është përgjegjësi e partive politike që edhe KQZ-në e ndërtoi në mënyrë bipartizane”.

Ai tha se pavarësisht nga kompozimi i institucioneve nëse këto bëhen me përfaqësimin e partive, detyrimi nuk është thjeshtë partiak, por ligjor e moral para të gjithë qytetarëve.

Duke iu referuar situatës pas zgjedhore, Presidenti shprehu shqetësimin për “rritjen e emocioneve politike, për ato epsiode që nuk janë të këndshme për asnjë vend, aq më shumë për një vënd anëtar të NATO-s”.

Ai apeloi që klasa politike t’i kthehet koshiencës civile, t’i trajtojë gjërat bazuar në Kushtetutë dhe ligj si dhe të japin mesazhe qetësie për t’ju larguar çdo momenti tensioni.

“Veçanërisht sot është e rëndësishme që njerëzit t’i drejtohen këtij momenti që është substancial për demkracinë shqiptare, t’i drejtohen ligjit dhe vetëm ligjit”, nënvizoi Kreu i Shtetit.

Gjithshtu, Presidenti vuri në dukje se anullimi i vizitës së Presidentit të KE-së, Hoze Manuel Barroso, që ishte parashikuar të zhvillohej në 20 maj, nuk është një shenjë e mirë për Shqipërinë, që vonon axhendën europiane.

“Realizimi i vizitës së tij në Beograd dhe në Prishtinë dhe mos ardhja në Tiranë nuk është shenjë e mirë për Tiranën, pasi vonon axhendën e rëndësishme europiane. Në Europë nuk shkojmë për disa politikanë, por për të gjithë popullin shqiptar”, përfundoi Presidenti Bamir Topi.