Lajme Shqip Monday, 18 April 2011 18:41

Tiranë – Presidenti i Republikës apeloi nga Vlora për pjesëmarrje masive në zgjedhje, duke uruar që 8 maji të jetë dita kur kapitulli i kontestimeve të zgjedhjeve të mbyllet, pasi, siç theksoi Topi, para të rinjve të Iniversitetit “Ismail Qemali”, Shqipëria e vitit 2011 i ka të gjitha potencialet të zhvillojë zgjedhje sipas standardeve.

Kreu i shteti ka bërë thirrje për shmangien e incidenteve, për prezantim platformash për qytetarin dhe ka përshëndetur çdo politikan të angzhuar në këtë drejtim, por edhe në mospërdorimin e administratës në fushatë. Veçanërisht kreu i shtetit ka shprehur bindjen se më 8 maj do të rrëzohet çdo përpjekje për një axhendë paralele që kjo ditë të mos ishte një shans i fituar nga shqiptarët.

“Zgjedhjet padyshim janë një test, një test me rëndësi, por pas tyre, vendi ka nevojë për një etapë të re bashkëpunimi ndërpartiak dhe ndërinstitucional për të fituar kohën e humbur apo vonesat e krijuara në axhendën e reformave integruese, të cilat janë në interes direkt të qytetarëve dhe njëherësh kriter politik për vendin tonë. Unë jam optimist, sepse e njoh shumë mirë energjinë pozitive që kemi, njoh kurajon dhe aftësinë krijuese qytetare, njoh aspiratat tona për një Shqipëri moderne dhe thellësisht demokratike, siç njoh maturinë e shumicës absolute të qytetarëve, partive politike apo politikanëve aktivë, për të mos lejuar për asnjë arsye apo axhendë paralele që 8 maji të mos jetë një shans i fituar. Unë padyshim jam optimist që 8 maji do të jetë një shans që ne do ta fitojmë të gjithë së bashku”, është shprehur Topi.