Lajme Shqip Saturday, 07 May 2011 19:05

Tiranë – “Më 8 Maj shqiptarët do votojnë të lirë e me qytetari. Zgjedhjet e lira, të ndershme dhe të paqta janë më të rëndësishme se rezultati i tyre”, u shpreh sot kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, në takimin me delegacionin e vëzhguesve zgjedhorë të Kongresit të Autoriteteve Lokale dhe Rajonale të Këshillit të Evropës.

Sipas njoftimit zyrtar nga Kuvendi, kryetarja Topalli vlerësoi se misioni i vëzhguesve ndërkombëtarë është shumë i rëndësishëm dhe ne jemi të interesuar të kemi sa më shumë vëzhgues, dëshmitarë të ecurisë së procesit zgjedhor.

Duke iu përgjigjur interesit të delegacionit, ajo i njohu vëzhguesit zgjedhorë të KiE-së me ecurinë e fushatës zgjedhore dhe punën për mbarëvajtjen e zgjedhjeve. “Sikurse në zgjedhjet e 2009-s, këto zgjedhje do të zhvillohen me një infrastrukturë zgjedhore me standarde shumë të larta, me një regjistër elektronik zgjedhësish, me lista transparente zgjedhore me karta identiteti të sigurisë së lartë”, tha Topalli.

Ajo vuri në dukje se sistemi i numërimit, “i aplikuar për herë të parë në zgjedhjet e fundit, rezultoi nga më trasparentët dhe jam e bindur se edhe në këto zgjedhje ky proces do të jetë shumë transparent dhe efikas në nxjerrjen e rezultateve”.

Vëzhguesit zgjedhorë të Kongresit të Autoriteteve Lokale dhe Rajonale të KiE-së siguruan se do të kontribuojnë maksimalisht që misioni i tyre të jetë sa më i suksesshëm.