Lajme Shqip Thursday, 14 April 2011 12:05

Tiranë – Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, njëkohësisht nënkryetare e PD-së, ishte sot në hapjen zyrtare të fushatës për zgjedhjet e 8 majit në rrethin e Mirditës. 
Sipas njoftimit për shtyp nga Kuvendi, fillimisht znj. Topalli shkoi në Rrëshen për të marrë pjesë në prezantimin e kandidatit për kryetar bashkie, Gjon Dedaj e më pas në Rubik, në prezantimin e Mark Ruçi, si dhe kandidatët për komuna të Koalicionit të djathtë “Aleanca për qytetarin”.
Rrësheni dhe Rubiku, falë ndërtimit të kryeveprës infrastrukturore, Rruga e Kombit, ka marrë një zhvillim të madh social-ekonomik për shkak dhe të shkurtimit të lidhjes me kryeqytetitn dhe me tregun e Kosovës, tha ajo. 
Gjatë mandatit të kaluar, kryetari i Bashkisë së Rëshenit Gjon Dedaj dhe ai i Rubikut, Mark Ruçi, me përkushtim dhe përgjegjshmëri për komunitetin, kanë realizuar një sërë projektesh miliona euro, që kanë ndryshuar rrugët, shërbimet publike në këtë qytet, arsim, shëndetësi, si dhe në fusha të tjera. 
Kryetarja e Kuvendit në fjalën e saj tha se në këto vite qeveria dhe maxhoranca, në drejtimin e kryeministrit Berisha ka realizuar mrekulli të paimagjinuara më parë: Shqipërinë në NATO, heqjen e vizave, rrugën e Kombit dhe tashmë ka sfidën e madhe “Shqipëria në 2017, një vend i zhvilluar”. 
“Në bashkinë tuaj gjatë këtyre viteve janë investuar me miliona euro. Një rrugë që vjen nga Rrësheni dhe shkon në Burrel. Një rrugë që shkon në 20 milionë euro dhe kjo është vetëm njëra prej  tyre. Natyrisht, ne jemi një vend anëtar i NATO-s dhe ndjehemi krenarë që kemi  realizuar premtimin më të vështirë, heqjen e vizave dhe për këtë meritë ka Kryeministri Sali Berisha”, u shpreh kryetarja e Kuvendit dhe nënkryetare e PD-së, në mitingun elektoral në Rrëshen.
Ajo tha se kryeministri Berisha ka bërë një tjetër premtim të madh dhe të vështirë, që në vitin 2017 të bëjë të mundur që Shqipëria të jetë një vend i zhvilluar dhe kjo është gati e pabesueshme. Por të pabesueshme ishin dhe projektet për rrugën e kombit, për Shqiptarët që të lëvizin pa viza, për anëtarësimin në NATO, që u bënë realitet.