Lajme Shqip Sunday, 17 April 2011 08:16

Shkodër – Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, njëherësh edhe nënkryetare e Partisë Demokratike, prezantoi mbrëm kandidatët e koalicionit “Aleanca për Qytetarin” për zgjedhjet vendore në bashkinë e Vaut të Dejës dhe në komunat e Nënshkodrës, Ana e Malit, Dajç i Bregut të Bunës dhe Velipojë.
Gjatë prezantimit të kandidatit për kryetar të bashkisë së Laçit të Vaut të Dejes, kryetarin aktual të saj, Gjon Marku, Topalli tha se ai e gjeti bashkinë e drejtuar më parë nga socialistët me borxhe të shumta financiare, si dhe me një infrastrukturë shumë të dobët rrugore dhe me punën e tij shembullore e ka ngritur në parametra bashkëkohorë.
“Gjatë kësaj periudhe të drejtimit të Markut, janë investuar 6 milionë dollarë”, tha Topalli.
Nënkryetarja e Partisë Demokratike tha gjithashtu se gjatë periudhës së qeverisjes së PD-së janë përgjysmuar taksat, është dyfishuar buxheti, është bërë Rruga e Kombit, janë ndërtuar një numër shkollash, shoqëruar me internet e bazë materiale, etj.
Jozefina Topalli garantoi kandidatin Marku se do të ketë vazhdimisht mbështetjen e qeverisë për të vijuar investimet në shërbim të këtij komuniteti, ndërkohë që sugjeroi që të bëhet më tepër kujdes për turizmin malor, i cili nuk po shfrytëzohet si duhet.          
Nga tribuna elektorale e bashkisë së Laçit të Vaut të Dejës, kryetarja e Kuvendit, duke folur për kryetarin e Partisë Socialiste, Edi Rama, tha se gjuha e tij është gjuha e urrejtjes, gjuha e konfliktit, ndërsa PD nuk e konsideron kurrë kundërshtarin politik si armik, nuk hakmerret.
Në takimin tjetër të radhës, atë në komunën e Anës së Malit, znj.Topalli prezantoi kandidatin e “Aleancës për Qytetarin”, Arben Ceni, duke u shprehur se kjo komunë ka potenciale të mëdha në fushën e bujqësisë dhe të blegtorisë, por kryesisht edhe të turizmit.