Lajme Shqip Friday, 20 May 2011 18:02

Tiranë – Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, gjatë një takimi të premten me kryetarin e misionit të vëzhguesve të OSBE/ODIHR, Jonathan Stonestreet, tha se zgjedhjet e 8 majit ishin zgjedhjet e transparencës më të lartë.

Sipas zyrës së shtypit të Kuvendit, kryetari i misionit vëzhgues të OSBE/ODIHR, duke vlerësuar procesin zgjedhor të 8 majit, tha se “gjatë ndjekjes nga afër të numërimit të votave nuk kisha përjetuar asnjëherë diçka të tillë, në sensin pozitiv. Numërimi i votave në sy të të gjithë shqiptarëve ishte i jashtëzakonshëm.”

Duke ndarë të njëjtin mendim me Stonestreet, kryetarja e Kuvendit tha se zgjedhjet ishin zgjedhjet e transparencës më të lartë. “Shqiptarët votuan të lirë e me qytetari. Kjo qytetari dhe vullneti i tyre i shprehur me votë është thelbësor për këtë proces. Në çdo votë është vullneti i qytetarëve shqiptarë. Është themelore që çdo votë të numërohet”, tha Topalli, ndërsa shtoi se në këtë situatë është e rëndësishme që KQZ-ja, duhet lënë të punojë.

“Dhuna kundër institucioneve të pavarura është e papranueshme në një shtet ligjor dhe e dënueshme penalisht”, u shpreh Topalli, duke nënvizuar se pas përmbylljes së këtij procesi maxhoranca mbetet si gjithmonë e gatshme të përmirësojë kodin zgjedhor, sipas rekomandimeve që do të bëhen edhe në raportin final të OSBE/ODIHR për këto zgjedhje.

Shpresoj, tha ajo, që edhe opozita të këtë vullnetin për të punuar së bashku me maxhorancën për këto ndryshime e t’i votojmë ato në parlament.