Lajme Shqip Saturday, 14 May 2011 18:37

Tiranw – Ambasadori i OSBE-së në Tiranë, Eugen Wollfarth, e cilësoi sot garën mes dy kandidatëve për kryetar të Bashkisë së Tiranës, “garë me rrahje të forta zemre” në fund të së cilës, sipas tij, “fitoi demokracia, sikundër është bërë një hap i rëndësishëm për zgjedhjet e ardhshme kombëtare”.

Ndërsa nga KQZ pritet të jepet rezultati përfundimtar për Kryetarin e ardhshëm të Bashkisë së Tiranës, mes kandidatëve Lulzim Basha dhe Edi Rama, Wollfarth iu bashkua thirrjes së Kyeministrit Sali Berisha për qytetarët që të presin me qetësi dhe në mënyrë të qytetëruar rezultatin përfundimtar nga KQZ.

“Procesi i numërimit është ndjekur nga afër, një vëzhgim i cili ka konsumuar shumë energji. Është e mira që të presim për konstatimet e KQZ-së dhe ODIHR, por mund të them që pati demonstrim të një vullneti shumë të mirë që ishte i rëndësishëm dhe që do të bëjë edhe diferencën mes këtyre zgjedhjeve dhe zgjedhjeve të tjera”, nënvizoi ambasadori i OSBE.

Sipas tij, rezultati përfundimtar që pritet të dalë nga KQZ, nuk është vetëm çështje kohe, por edhe preçizioni, që mozaiku i vullnetit të popullit të nxirret dhe të jepet në një tablo shumë të qartë dhe preçize.

“Bëhet fjalë për një çerek milioni gurësh që do të mblidhen së bashku në një mozaik dhe për t’u verifikuar që gjithçka u bë siç duhet”, tha Wollfarth.

Në përfundim ambasadori i OSBE-së nënvizoi se “është bërë një hap i rëndësishëm për një zhvillim të qytetit dhe të fshatrave dhe një hap pozitiv për zgjedhjet e ardhshme kombëtare”.