Lajme Shqip Friday, 29 April 2011 18:27

Tiranë – Ambasadori i OSBE-së në Tiranë, Eugen Wolfarth, ritheksoi sot se zgjedhjet e 8 majit janë shumë të rëndësishme për qytetarët shqiptarë, të cilët do të zgjedhin ata që do t’u ofrojnë atyre shërbime në bashki e komuna.

Në një prononcim për mediat pas takimit që zhvilloi me Presidentin Bamir Topi, ambasadori deklaroi se “do të jetë shumë e rëndësishme që qytetarët, burra e gra, të shkojnë e të votojnë, ta hedhin fletën e votimit e të demonstrojnë besim te sistemi, të kërkojnë shërbime pas ditës së zgjedhjeve dhe të ndjekin me vëmendje programet që kandidatët dhe ekipet e tyre kanë për të ardhmen e bashkive e komunave”.

Duke vënë në dukje se shërbimi për vendin fillon duke u shërbyer qytetarëve aty ku ata jetojnë, ambasadori vlerësoi se e Shqipëria ka bërë një përparim të konsiderueshëm gjatë 20 vjetëve të fundit pas ardhjes së demokracisë dhe nuk ka asgjë që ta pengojë në të ardhmen nëse qytetarët japin kontributin e tyre.

“Qytetarët duhet të kenë besim se përgatitjet po shkojnë mirë. Është shumë e rëndësishme që të gjithë ata që marrin përsipër detyrën për të shërbyer në qendrat e votimit dhe në komisione, t’u shërbejnë vërtet qytetarëve dhe të qëndrojnë në postet e tyre gjatë gjithë procesit zgjedhor”, nënvizoi Wollfarth.

I pyetur nëse zgjedhjet e 8 majit do të arrijnë standardet, duke pasur parasysh fushatën e deritanishme, ambasadori i OSBE-së tha se Shqipëria i ka të gjitha mjetet, përgatitjet po bëhen siç duhet, kështu që vendi, duke filluar nga kandidatët dhe qytetarët, mund t’i arrijë standardet.

“E rëndësishme është që të ekzistojë vullneti politik dhe vullneti politik nuk është diçka që u delegohet vetëm partive. Me vullnet politik kemi parasysh edhe vullnetin politik të qytetarëve dhe komisionerëve për t’i shërbyer vërtet vendit”,  përfundoi ambasadori i OSBE-së, Eugen Wollfarth.