Lajme Shqip Sunday, 17 April 2011 14:03

Tiranë – Sot rreth orës 13:25, në Kamëz, Tiranë, në afërsi të rrugës “Manhatan”, pranë vendit ku po ngrihej tribuna për zhvillimin e takimit elektoral të subjektit Partia Socialiste, ka patur një konflikt ndërmjet simpatizantëve të subjektit Partia Socialiste, dhe disa shtetasve midis tyre edhe një punonjës i Bashkisë Kamëz. 
Burime nga Policia e Tiranës bëjnë të ditur se nga ky konflikt, është plagosur shtetasi Rasim Zenel Hoxha, 43 vjeç, me detyrë Punonjës Policie pranë Bashkisë Kamëz, i cili në momentin e plagosjes ka qënë duke vendosur pankarta të subjektit Politik Partia Demokratike e Shqipërisë dhe aktualisht ndodhet për trajtim mjekësor në Spitalin Ushtarak Tiranë.
Nga veprimet e para hetimore të kryera në vendin ku ka ndodhur incidenti, shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr.5 Tiranë, kanë bërë të mundur të identifikojnë si autor të mundshëm të plagosjes së shtetasit Rasim Hoxha, i cili dyshohet të jetë shtetasi Petrit Ahmet Hoxha, 36 vjeç, qe aktualisht po merret në pyetje në lidhje me rrethanat e kësaj plagosje në  Komisariatin e Policisë Nr.5 Tiranë.
Sipas te njejtit burim, nga Strukturat e hetimit dhe të parandalimit të Komisariatit të Policisë Nr.5 Tiranë, aktualisht po punohet për dokumentimin ligjor dhe proçedurial të ngjarjes, identifikimin dhe kapjen e personave të tjerë të përfshirë në këtë ngjarje. Njëherazi, materialet hetimore e proçeduriale do t’i kalojnë Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë, për hetime të mëtejshme.