Lajme Shqip Monday, 18 April 2011 11:04

Tiranë – Një shpërthim ka ndodhur në orët e para të mëngjesit të së hënës në banesën e kandidatit socialist për minibashkinë Nr.7 në kryeqytet, Erjon Koka, kur persona ende të panjohur kanë vendosur një sasi tritoli në banesën e tij, teksa ky i fundit ndodhej në shtëpi së bashku me dy prindërit e tij.

Burimet zyrtare nga Policia e Tiranës bënë të ditur sot se menjëherë pas ngjarjes, shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr.2 Tiranë, ekspertë Anti-Eksploziv, ekspertë Xheniere, Specialistë të Hetimit të Krimeve të Rënda, kanë ushtruar kontrolle të imtësishme përreth zonës dhe ambienteve të brendshme të banesës, nga ku u konkludua se, lënda shpërthyese është vendosur në pjesën e derës së apartamentit dhe si pasojë e këtij shpërthimi nuk ka të lënduar, por vetëm dëme materiale.

Ndërsa ende nuk dihen shkaqet e vendosjes së eksplozivit në shtëpinë e kandidatit socialist, Policia e Tiranës, në bashkëpëpunim me Prokurorinë e Tiranës, kanë nisur hetimet për zbardhjen e ngjarjes si dhe vënien para drejtësisë të autorëve.