Lajme Shqip Saturday, 21 May 2011 09:23

Tiranë – Presidenti i Republikës, Bamir Topi, dje hodhi poshtë spekullimet politike dhe mediatike, lidhur me votën e tij të fshehtë të dhënë më 8 maj për organet e qeverisjes vendore.

Përmes një deklarate të zëdhënëses së Presidentit, thuhet se Presidenti e ka ushtruar të drejtën e tij kushtetuese të votës, si çdo qytetar tjetër, me bindjen e plotë se vota e çdo qytetari është dhe duhet të jetë e fshehtë, siç përcaktohet nga Kushtetuta, Kodi Zgjedhor dhe Kodi Penal i Republikës së Shqipërisë.

“Çdo qytetar i interesuar ka patur rastin të shohë, në formë publike dhe vizive, aktin e votimit të Presidentit të Republikës, si votim i rregullt ligjor dhe korrekt. Çdo aludim tjetër mbetet produkt i sajuar politik dhe mediatik, i lidhur me kontekstin politik të ditës, si dhe për tërheqjen e vëmendjes nga problemet e mëdha që po shfaq vonesa me administrimin ligjor të rezultatit të zgjedhjeve”, thuhet në këtë deklaratë.

Presidenti refuzon të përfshihet në spekulimet dhe lojërat politike të ditës dhe me cilësinë e Kryetarit të Shtetit apelon edhe një herë aktorët politikë dhe institucionet përgjegjëse, që të lënë mënjanë çdo alibi dhe përpjekje për të sajuar skema të tilla të ulëta dhe të kryejnë detyrën që u ngarkon ligji dhe interesat madhore të vendit.