Lajme Shqip Monday, 02 May 2011 11:28

Tiranë – Kolegji Zgjedhor pranë Gjykatës së Apelit po shqyrton të hënën kërkesën ankimore të Partisë Socialiste ndaj një vendimi të KQZ-së për 18 qendrat e votimit të ngritura në ambiente private të Bashkisë Kamëz, të cilat sipas saj, janë vendosur në kundështim me kriteret e parashikuara në Kodin Zgjedhor.

Sipas kërkesës së PS-së, vendosja e këtyre qendrave në ambiente private ka qënë e panevojshme pasi në territorin e Bashkisë Kamëz ekzistojnë të gjitha kapacitetet dhe mundësitë për të caktuar QV-të në ambiente publike, në respektim të dispozitave të Kodit Zgjedhor.

PS në ankesën e saj pretendon se caktimi i QV-ve jashtë kritereve ligjore dhe në ambiente që e bëjnë të pamundur kryerjen e një procesi normal zgjedhor, lë shkak për dyshime në manipulimin e procesit.

Në kërkesës e saj PS gjykon se zhvendosja e QV-ve në ambiente të përshtatshme publike në respektim të kodit zgjedhor është një hap i domosdoshëm, që do t’i shërbejë mbarëvajtjes së procesit ditën e zgjedhjeve.