Lajme Shqip Saturday, 14 May 2011 09:09

Tiranë – Numërimi i tetë kutive të fundit të votave në njësinë 5, KZAZ nr. 49, pritet të pëcaktojë kryetarin e ri të bashkisë së Tiranës.

Paraditen e sotme, në këtë KZAZ, pritet të rifillojë numërimi i votave, pas ndërprerjes së këtij proçesi në orët e para të së shtunës.

Komisionerët e të dy palëve vendosën mbrëmë me konsensus për ndërprerjen e procesit të numërimit dhe rifillimin e tij mëngjesin e sotëm.

Konsensus u arrit edhe për fletët e pretenduara si të pavlefshme me njollë nga shtypshkronja dhe për reduktimin e grupeve të vëzhgimit si nga pala socialiste, ashtu edhe nga ajo demokrate.

Rezultatet e numërimit të djeshëm të 15 kutive vazhdojnë të nxjerrin kryesues kandidatin e “Aleancës për Qytetarin”, Lulzim Basha, i cili aktualisht kryeson me 571 vota ndaj kandidatit të “Aleancës për të Ardhmen”, Edi Rama.

Sipas rezultatit zyrtar nga KQZ, kandidati demokrat Basha ka marrë 123.348 vota, ndërsa kandidati socialist Edi Rama 122 777 vota.