Lajme Shqip Saturday, 30 April 2011 08:31

Tiranë – Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, prezantoi të premten në njësinë bashkiake nr. 8 në Tiranë, kandidatin e “Aleancës për të Ardhmen”, Sadi Vorpsin, një tiranas, që sipas tij, do të ngrejë vëmendjen mbi të drejtën e pronave që “ua grabiti komunizmi dhe nuk ua kthen regjimi i kusarëve”.

Gjatë fjalës së tij, Rama tha se vota për Sadi Vorpsin është vota për të mos lejuar më qeverinë anormale, e cila nuk ka një model zhvillimi në qytete a komuna që ta marrë si shembull zhvillimi. Duke ironizuar kryeministrin Berisha se merret me inaugurime komunale, Rama tha se ai duhet t’u tregojë shqiptarëve se pse rriten çmimet e pakësohen vendet e punës.

Duke vlerësuar koalicionin e majtë në këto zgjedhje, kreu socialist tha se “Aleanca për të Ardhmen” nuk është thjesht dhe as vetëm PS, por është një front qytetar partish dhe individësh, individësh si Sadi Vorpsi që e kanë kuptuar se është koha për të marrë pjesë dhe për të dhënë diçka më shumë nga vetja.

Rama u ndal edhe në ato që ai i cilësoi “presione dhe shantazhe ndaj administratës” nga ana e pushtetit, në përpjekjet e tij për t’i kontrolluar votën më 8 maj. “Një pushtet që e katandis shtetin deri në këtë pikë është në një moment të atillë dramatik që kërkon një reagim mbarë popullor”, theksoi kryetari i PS-së.

Ndërsa në takimet e zhvilluara derë më derë me banorë të njësisë bashkiake nr. 4 kryesocialisti Rama apeloi për pjesëmarrje në votime duke deklaruar se vota është rruga e vetme kundër padrejtësive.