Lajme Shqip Thursday, 05 May 2011 16:56

Tiranë – Kryetari i bashkisë së Tiranës, Edi Rama, përuroi të enjten pasdite rrugën pranë kalasë së vjetër në qendër të kryeqytetit.

Rama, në ceremoninë e përurimit, tha se rruga e re do të jetë vetëm për këmbësorët dhe ajo është pjesë e projektit që vijon me parkun e Parlamentit, si dhe me të gjitha hapësirat e tjera që e përbëjnë këtë zemër të qytetit, që nga Parku “Rinia” e deri tek Ura e Tabakëve ku pulson historia e Tiranës.

Rama ripërsëriti se përveç këtij projekti, i cili siç tha ai, flet vetë me “cilësinë tërësisht të admirueshme të vizionit dhe standardeve të projektimit e realizimit”, një tjetër projekt i bashkisë është në rrugën e zbatimit si ai i Parkut të integruar të Liqenit, i cili bashkon në një parkun e liqenit, kopshtin zoologjik, kopshtin botanik dhe parkun sportiv tek kompleksi “Dinamo”.

Ndërkohë, sipas Ramës, një tjetër park pret të bëhet pjesë e hartës së kryeqytetit, si Parku i Stacionit të vjetër të trenit, dhe në të ardhmen dhe Parku rajonal i Paskuqanit.