Lajme Shqip Saturday, 14 May 2011 19:15

Tiranë – “Kjo nuk është fitorja ime e parë, por më shumë se asnjëherë më parë fitorja është reflektim për mua, që sot ndjej peshën e borxhit ndaj çdo shqiptari që besoi, duke votuar tek kandidatët e aleancës sonë dhe ndaj çdo qytetari në Tiranë që nuk më votoi, duke më sprovuar”, tha të shtunën Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, njëkohësisht kandidati i koalicionit “Aleanca për të Ardhmen” për kreun e Bashkisë së Tiranës, i cili deklaroi se ka fituar me 10 vota ndaj kandidatit të koalicionit “Aleanca për qytetarin”, Lulzim Basha.

Deklarata para medias e Ramës, vjen pas përfundimit të numërimit të votave për zgjedhjen e Kryetarit të bashkisë në KZAZ-në nr. 49, të njësisë bashkiake nr. 5, në kryeqytet, që shënon edhe përfundimin e numërimit të votave për të 11 njësitë bashkiake të kryeqytetit, ndërkohë që KQZ nuk ka shpallur ende një rezultat përfundimtar për Tiranën.

“Ëndrra vazhdon”, tha Rama, duke falënderuar të gjithë mbështetësit e tij në këtë garë, por edhe përfaqësuesit e trupit diplomatik të akredituar në Shqipëri, të cilët, sipas tij, “qëndruan në mbrojtje të votës së çdo qytetari, pa dallim”.

“U them pa dallim të gjithëve, duke filluar nga Tirana, se edhe ata zgjedhës që nuk na kanë votuar, nuk kanë humbur”, tha Rama, duke shtuar se “sot është dita për të festuar, duke e ndarë gëzimin me çdo qytetar të këtij vendi që ka votuar, apo jo për ne”.