Lajme Shqip Saturday, 07 May 2011 06:33

Tiranë – Kryetari i PS-së dhe kandidati për bashkinë e Tiranës, Edi Rama, deklaroi në emisionin “Top Story” në Top Channel se kjo fushatë është karakterizuar nga dhuna ndaj kandidatëve dhe mbështetësve të PS-së.

Sipas tij, fushata është karakterizuar nga kërcënime në të gjithë territorin “që kontrollon pushteti, duke vënë në presion mësues e nxënës, që janë një dëshmi e frikës që ka Saliu nga 8 maji dhe vota”.

Ai u shpreh se në zonat ku qeverisë maxhoranca ka një ngushtim të bashkëjetesës qytetare.

Kreu i PS-së theksoi se pakti me qytetarin është një nga arsyet se pse qytetarët duhet të votojnë për “Aleancën për të ardhmen”. “Kemi të gjitha arsyet për të fituar se ne ofrojmë një pakt qytetar, që u ofron qytetarëve të drejta të barabarta”, tha Rama, duke u shprehur optimist për fitore në zgjedhje.

I pyetur nëse po kërkon një mandat të plotë për bashkinë, Rama theksoi se Tirana ka nevojë për një politikë tjetër kombëtare. “Këtë e vendos Tirana, e cila ka nevojë për një politikë tjetër kombëtare dhe një politikë zhvillimi ashtu si edhe gjithë Shqipëria”, tha Rama.

Pyetjes nëse do të jetë ai kryeministri i ardhshëm i vendit, nëse do fitojë zgjedhjet për pushtetin qendror, Rama tha se gjithçka është në dorën e qytetarëve. “Këtë e vendosin qytetarët me votë”, theksoi Rama.