Lajme Shqip Tuesday, 10 May 2011 19:09

Tiranë – Kryetari i Partisë Socialiste (PS), Edi Rama, në një komunikim me mediat të martën pasdite, deklaroi se vota e qytetarëve në Tiranë do të mbrohet dhe do të lexohet ashtu siç ata e kanë hedhur në kuti.

“Çdo votë që është në kutitë e Tiranës do të mbrohet dhe lexohet ashtu si e kanë vendosur qytetarët”, tha Rama, ndërsa prezantoi përfaqësuesin e koalicionit “Aleanca për të Ardhmen”, Elvis Rroshi, i cili u shpall fitues për postin e kryetarit të ri të bashkisë së Kavajës.

Duke iu referuar procesit të numërimit të votave, Rama akuzoi maxhorancën se po përpiqet të bllokojë procesin pasi e dinë se kanë humbur. “Kjo është një shfaqje e shëmtuar që u kujton shqiptarëve një film që po luhet në kryeqytet, por fatmirësisht pa fuqinë për të transformuar vullnetin e qytetarëve” u shpreh kryetari i PS-së.