Lajme Shqip Friday, 20 May 2011 18:15

Tiranë – Partia Socialiste i është drejtuar sot me një kërkesë – padi Kolegjit Zgjedhor pranë Gjykatës së Apelit, duke i kërkuar zyrtarisht të detyrojë KQZ-në që të marrë vendim për miratimin e tabelës përmbledhëse të rezultateve për KZAZ-në, nr.49 dhe pas kësaj të shpallë kandidatin fitues për bashkinë e Tiranës.

Në kërkesë – padinë e PS-së thuhet se në përfundim të procesit të numërimit të votave, për kandidatët për kryetar të Bashkisë Tiranë dhe Këshillin Bashkiak të Bashkisë Tiranë, nga 10 KZAZ të kësaj zone zgjedhore, janë miratuar tabelat përmbledhëse të rezultateve të qendrave të votimit, ndërsa KZAZ-ja nr.49 nuk e ka miratuar këtë tabelë duke marrë vendimin Nr.37 datë 16/05/2011 për mosmiratimin e saj.

Menjëherë pas këtij veprimi, PS paraqiti ankim në KQZ në këtë datë me objekt ndryshimin e vendimit të mësipërm dhe miratimin e tabelës përmbledhëse të rezultatit për zgjedhjen e kryetarit të Bashkisë Tiranë.

Por, KQZ ende nuk ka marrë asnjë vendim dhe për këtë arsye PS e padit në Kolegjin Zgjedhor.

Ndërkohë, që pika e dytë e padisë së socialistëve është se KQZ nuk ka nxjerrë rezultatin e Bashkisë së Tiranës dhe shpalljen e kandidatit fitues.