Lajme Shqip Monday, 23 May 2011 11:57

Tiranë – Përkrahës dhe deputetë të Partisë Socialiste janë mbledhur sërish të hënën para selisë së Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), për të protestuar kundër vendimmarrjes së këtij institucioni për rezultatin e bashkisë së Tiranës.

Deputetë të PS-së, duke marrë fjalën në protestën e radhës, denoncuan, sipas tyre, shkeljen flagrante të ligjit dhe përpjekjen për të ndryshuar në tavolinë rezultatin për kryeqytetin, i cili, sipas socialistëve, ka nxjerrë fitues kandidatin e PS-së, Edi Rama.

Ndërkohë, në mesditë (ora 12:00) KQZ-së pritet të miratojë tabelën përfundimtare të njësisë bashkiake numër 5, e më tej fituesin e garës për Bashkinë e Tiranës.

Gjithashtu, forca të shtuara policore, ashtu sikurse gjatë gjithë këtyre ditëve, vazhdojnë të qëndrojnë në ruajtje të godinës së Komisionit Zgjedhor, për të parandaluar incidentet e mundshme nga ana e protestuesve të PS-së.