Lajme Shqip Tuesday, 17 May 2011 17:05

Tiranë – Komisioni Qendror i Zgjedhjeve vendosi të shtyjë mbledhjen e planifikuar të zhvillohej sot, për shkak të situatës së nderë dhe të papranueshme të krijuar nga deputetët socialistë të pranishëm në sallën e mbledhjeve si dhe presionit psikologjik dhe fizik që ishte prezent ndaj KQZ-së.

Në një deklaratë për mediat, zëdhënësi i KQZ-së Arti Lushaj sqaroi se KQZ filloi mbledhjen rutinë për të shqyrtuar shqetësimet dhe kërkesat e mbërritura nga të gjitha KZAZ-të e Tiranës, në lidhje me vlerësimin e votave të hedhura në kutitë e gabuara.

“Para fillimit të mbledhjes, salla ishte pushtuar nga deputetë socialistë dhe njerëz, që nuk kishin të bënin fare me shqyrtimin e çështjeve. Në momentin kur anëtarët zunë vend për të filluar mbledhjen, deputetët e PS-së dhe njerëzit e tjerë  filluan të përplasnin këmbët në tokë, duke adresuar fjalë fyese në drejtim të KQZ-së”, tha Lushaj.

Përmes zëdhënësit, KQZ u kërkoi forcave garuese në zgjedhjet vendore të 8 majit, të veprojnë në përputhje me shtetin ligjor, ndërkohë që garantoi ligjshmëri të plotë të procesit zgjedhor dhe garanci që çdo votë e shtetasve shqiptarë do të vlerësohet sipas vullnetit të tyre.

Lushaj informoi se mbledhja e ardhshme e KQZ-së do të fillojë sapo të qetësohet situata.