Lajme Shqip Sunday, 08 May 2011 07:48

Trianë – Për të siguruar një klimë të qetë zgjedhore, si dhe në mbrojtje të votës së qytetarëve, 5023 efektiva të Policisë së Shtetit në rang vendi, janë angazhuar për ruajtjen e KZAZ-ve dhe Qendrave të Votimit.

Në një njoftim për mediat, Policia e Shtetit bën të ditur se, duke respektuar ligjin “për Policinë e Shtetit”, shërbimet e Policisë në gjithë vendin, kanë marrë në ruajtje 4891 Qendra Votimi, si dhe 66 Komisione Zonale të Administrimit Zgjedhor.

Ndërkohë që pas ardhjes së komisionerëve në Qendrat e Votimit, si dhe fillimit të procesit zgjedhor, mësohet se efektivat e Policisë, të cilët përgjatë gjithë mbrëmjes kanë marrë në ruajtje këto zona, janë larguar për në vendqendrimet e tyre dhe do të jenë të pranishëm në këto zona, vetëm me kërkesën e komisionerëve në rastet kur është e nevojshme prania e tyre.

Në njoftimin e Policisë thuhet gjithashtu se, në të gjithë vendin, aktualisht situata për sa i përket rendit dhe sigurisë publike paraqitet e qetë dhe pa probleme. Pranë strukturave qendrore e vendore të policisë, funksionojnë grupet e drejtim- koordinimit, të cilat janë ngritur për menaxhimin e përpunimin e shpejtë të informacionit dhe për një komunikim sa më efikas e në kohë reale me median e publikun.

Krahas angazhimit maksimal për përmbushjen e detyrave të përcaktuara në aktet normative në kuadër të procesit zgjedhor, Policia është në gatishmëri të plotë për të përmbushur misionin e saj për garantimin e rendit dhe të sigurisë publike në të gjithë vendin, me qëllim krijimin e një mjedisi sa më të sigurt, në funksion të zgjedhjeve të lira dhe të ndershme në Shqipëri.