Lajme Shqip Thursday, 12 May 2011 14:48

Tiranë – Policia e Shtetit shprehu sot angazhimin për menaxhimin me sukses të fazës përfundimtare të detyrave që u ngarkon ligji në kuadër të procesit zgjedhor, që është sigurimi i Vendeve të Numërimit të Votave dhe shoqërimi i materialeve zgjedhore drejt Komisionit Qendror të Zgjedhjeve.

Sipas komunikatës për shtyp të Policisë së Shtetit, aktualisht shërbimet e policisë vazhdojnë të përmbushin me profesionalizëm dhe korrektësi detyrat për garantimin e sigurisë pranë Vendeve të Numërimit të Votave, në funksion të akteve ligjore të sipërcituara.

Në komunikatë bëhet e ditur se, gjatë gjithë kësaj faze deri në ditën e sotme është kërkuar ndërhyrja e strukturave të Policisë së Shtetit me vendim të Komisioneve Zonale të Administrimit Zgjedhor apo Komisionit Qendror të Zgjedhjeve në 16 raste, në shkallë vendi pranë Vendeve të Numërimit të Votave, kryesisht për shkak të problemeve të krijuara nga personat e pranishëm në këto ambiente.

Ndërkohë, që me rivendosjen e rendit konform rregullave dhe kundrejt vendimit përkatës të këtyre Komisioneve, punonjësit e policisë janë larguar sërish jashtë këtyre ambienteve, duke vazhduar të qëndrojnë në gatishmëri të plotë për sigurimin e rendit e të qetësisë deri në përfundim të procesit.

Gjithnjë sipas komunikatës zyrtare të Policisë së Shtetit, strukturat e Policisë së Shtetit po punojnë me intensitet në drejtim të përmbushjes së detyrave institucionale për garantimin e rendit e të sigurisë në të gjithë territorin e vendit.