Lajme Shqip Saturday, 07 May 2011 10:30

Tiranë – Tre shtetas arritën t’i shpëtojnë natën e kaluar një atentati me armë zjarri në periferi të Tiranës.

Ngjarja ndodhi në Komunën Farkë e Vogël, Tiranë, kur një person qëlloi me armë zjarri drejt një lokali në pronësi të një simpatizanti të Partise Demokratike.

Burime zyrtare nga Policia e Tiranës bënë te ditur se, në ambientet e lokalit të “Gjolës”, në Komunën Farkë e Vogël, në pronësi të shtetasit Xhemal Plaku, është tentuar të vriten me armë zjarri shtetasit Leonard Plaku, 34 vjeç, Ledion Bali, 26 vjeç dhe Festim Plaku, 31 vjeç, të tre me banim në Farkë të Vogël.

Këta shtetas, sipas policisë, në momentet e ngjarjes kanë qënë në ambientet e jashtme të lokalit, ku janë tentuar të vriten me armë zjarri, nga një shtetas, i cili më pas është larguar menjëherë nga vendngjarja.

Forcat e policisë, që shkuan ne vendin e ngjarjes, bënë të mundur kqyrjen e saj si dhe administruan provat e gjetura aty, ndër të cilat 20 copë gëzhoja, që do të ndihmojnë për dokumentimin e ngjarjes.

Ndërkohë, në ambientet e Komisariatit të Policisë Nr.1 Tiranë janë shoqeruar per ngjarjen 7 shtetas.

Bëhet e ditur gjithashtu se, policia, në bashkëpunim me Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Tiranë, vazhdon punen për të zbardhur tërësisht rrethanat dhe motivet e kësaj ngjarje, më qëllim për të identifikuar dhe kapur autorët për konsumim të veprës penale të “vrasje e mbetur në tentativë”.