Lajme Shqip Thursday, 05 May 2011 19:30

Tiranë – Partia për Drejtësi, Integrim dhe Unitet (PDIU) mbylli të enjten me një miting në sheshin “Nënë Tereza” ne Tirane fushaten elektorale për zgjedhjet vendore të 8 majit.

Kryetari i PDIU-së, Shpëtim Idrizi, shprehu bindjen e tij për mbështetjen e qytetarëve, duke qenë se motivi i kësaj force politike është çështja kombëtare.

“PDIU nuk është parti si të tjerat, pasi motivi ynë është çështja kombëtare. Nëse do ta kishim të mundur të gjithë bashkë do të ishim në një zë ‘ne e duam Shqipërinë’. Pse e duam vendin tonë jemi mbledhur të gjithë bashkë pa ndarje, pa inate, por të gjithë bashkë si shqiptarë”, tha Idrizi.

PDIU, vijoi ai, bëri një fushatë moderne. Ne folëm vetëm për kombin, për shqiptarët dhe për një nga padrejtësitë më të mëdha historike, që i është bërë kombit tonë, për Çamërinë, për të cilën ne nuk do rreshtim së kërkuari drejtësi. Me votën tuaj do të bëni të mundur që PDIU të ketë një rol vendimmarrës në institucione”, deklaroi Idrizi.

Ai tha se në zgjedhjet e 8 majit shqiptarët do të votojnë për Shqipërinë europiane, sepse në Europën e Bashkuar ne aspirojmë të shkojmë me dinjitet dhe vlerat e një kombi që i ka dhënë shumë qytetërimit botëror.

Kreu i PDIU-së tha se zgjedhjet e së dielës do të jenë sipas standardeve. “Ne do të votojmë të qetë, pa eksese dhe të tregojmë që jemi qytetarë europianë”, u shpreh Idrizi.