Lajme Shqip Thursday, 12 May 2011 11:58

Tiranë – Partia Demokratike garantoi, sot, se nuk ka patur as edhe një bllokim të procesit të numërimit, nga ana e numëruesve të maxhorancës, në KZAZ-të e Tiranës.

Përmes një deklarate për shtyp, zëdhënësja e PD-së, Albana Mustafaraj, reagoi pas deklaratës së deputetit socialist Erion Braçe, i cili akuzoi komisionerët e grupeve të numërimit, përfaqësues të maxhorancës, se po përpiqen të bllokojnë procesin e numërimit të votave në kryeqytet.

“Partia Socialiste pretendon se numëruesit e PD-së dhe të LSI-së janë larguar nga vendi i tyre i numërimit në KZAZ-në nr. 49, që i përket njësisë bashkiake numër 5, në Tiranë. PD i bënë me dije gjithë opinionit publik dhe vëzhguesve ndërkombëtarë, që nuk ka patur as edhe një bllokim të procesit të numërimit nga ana e numëruesve të PD-së, jo vetëm në njësinë nr.5, në kryeqytet, por as edhe në ndonjë njësi tjetër të Tiranës”, tha zëdhënësja e PD-së.

Sipas saj, “është plotësisht e verifikueshme, që numëruesit si dhe vëzhguesit e PD-së janë tërësisht në vendin e tyre të punës, duke përmbushur kështu detyrën e tyre ligjore dhe qytetare”.

“Ndërkaq, ju bëj me dije se në njësitë numër 8 , 9 dhe 11 të kryeqytetit, numeruesit e PS-së mungojnë prej orësh të tëra në tavolinat e tyre të numërimit”, tha ajo.

Në përfundim, PD garantoi të gjithë qytetarët e Tiranës se çdo votë e tyre do të numërohet dhe lexohet me korrektesë dhe se asnjë vullnet i mbrapshtë nuk mund të devijojë dot verdiktin e zgjedhësve shqiptarë.