Lajme Shqip Saturday, 07 May 2011 10:47

Tiranë – Vëzhguesit ndërkombëtarë të caktuar nga Zyra e OSBE-së për Institucionet Demokratike dhe të Drejtat e Njeriut (ODIHR), si dhe Kongresi i Autoriteteve Lokale dhe Rajonale të Këshillit të Europës, do të prezantojnë deklaratën e tyre paraprake për zgjedhjet vendore të 8 majit, në një konferencë për shtyp, që do të zhvillohet ditën e martë (10 maj), në Hotel ‘Sheraton’, në Tiranë.

Përmes një njoftimi për shtyp, bëhet e ditur se deklarata paraprake do të jepet nga Jonathan Stonestreet, Kreu i Misionit Vëzhgues Zgjedhor të OSBE/ODIHR-it dhe nga Hana Richtermocová, Kreu i delegacionit të Kongresit të Autoriteteve Lokale dhe Rajonale.

Gjithashtu, të pranishëm në këtë konferencë për shtyp do të jenë edhe Volkram Gebel, Raportuesi i delegacionit të Kongresit dhe Raul Muresan, zv/Kreu i Misionit Vëzhgues Zgjedhor i OSBE/ODIHR-it.

Misioni Vëzhgues Zgjedhor i OSBE/ODIHR-it përbëhet nga 298 vëzhgues nga 30 vende, duke përfshirë 40 vëzhgues afatgjatë dhe 258 vëzhgues afatshkurtër. Delegacioni i Kongresit përbehet nga 14 përfaqësues të zgjedhur vendorë nga 11 vende, duke përfshirë edhe Komitetin e Bashkimit Europian të Rajoneve.