Lajme Shqip Monday, 09 May 2011 07:12

Tiranë – Në Tiranë vijon procesi i numërimit të votave në shumicën e komisioneve zonale të administrimit zgjedhor. Sipas të dhënave zyrtare nga KQZ, nga 15 KZAZ- të e kryeqytetit në 11 prej tyre po vazhdon numërimi, ndërsa në katër të tjera pritet të fillojë.

Ky proces, i nisur në orët e para të mëngjesit të sotëm, parashikon fillimisht numërimin e kutive të votimit për kryetarin e bashkisë së kryeqytetit, për të cilin konkurrojnë kandidati i koalicionit “Aleanca për Qytetarin” Lulzim Basha dhe për koalicionin “Aleanca për të ardhmen”, Edi Rama.

Numërimi i votave do të vazhdojë më pas me kutitë për këshillin bashkiak të qytetit, me kutitë për kryetarët e minibashkive dhe të këshillave të tyre bashkiake.

Në Shqipëri u zhvilluan dje votimet për kryetarë të bashkive dhe komunave, si dhe këshillave të administratës vendore. Procesi ishte i qetë, ndërsa nga shifrat paraprake zyrtare pjesëmarrja në votime ka qënë mbi 50%, më e larta e krahasuar me proceset e fundit zgjedhore.

Zgjedhjet u monitoruan nga vëzhgues vendës dhe të huaj. Në këtë kuadër misioni vëzhgues i ODIHR pritet të japë nesër dhe disa konkluzione paraprake lidhur për mbarëvajtjen e procesit ditën e votimeve.