Lajme Shqip Monday, 23 May 2011 19:15

Tiranë – Mes debatesh nga komisionerët e opozitës, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka nisur sot rreth orës 17:00 shqyrtimin e aktit për tabelat e rezultateve për Tiranën.

Në këtë mbledhje pritet të miratohet tabela përmbledhëse për KZAZ-në 49, njësia bashkiake 5, për të vijuar më pas me rezultatin për kandidatin fitues në bashkinë e Tiranës.

Gjatë mbledhjes së paradites, përfaqësuesit e opozitës në KQZ kërkuan kohë për të shqyrtuar aktin e paraqitur nga administrata e Komisionit, pasi nuk ishte njohur me të. Sipas tyre, akti i propozuar, ku përfshihen materialet

dokumentare të rezultateve të hapjes së kutive dhe verifikimit të votave, është një çështje juridike dhe teknike që kërkon një kohë të arsyeshme për t’u shqyrtuar.

Në përfundim të procesit të numërimit të fletëve të kontestuara, Komisioni Zgjedhor pritet të miratojë sot në tërësi aktin për vlerësimin e votës së panumëruar, të hedhur në kutinë e gabuar, në disa qendra votimi të zonës zgjedhore, Bashkia Tiranë.

Rezultatin e këtij procesi, KQZ do ta reflektojë në tabelat përkatëse të grupeve të numërimit dhe në tabelat përmbledhëse të 11 KZAZ-ve të Tiranës, si edhe do të vijojë punën me miratimin e tabelës përmbledhëse të zonës së administrimit zgjedhor nr. 49, njësia zgjedhore nr.5.

Me përfundimin e miratimit të tabelave përmbledhëse për të gjitha KZAZ-të e Tiranës, KQZ do të plotësojë në mbështetje të nenit 123 të Kodit Zgjedhor, tabelën përmbledhëse të rezultatit për zonën zgjedhore, Bashkia Tiranë.

Përgjatë pesë ditëve (17-22 maj), KQZ numëroi 125 kuti, ku gjendeshin fletët e kontestuara, ku rezultuan 171 vota për kandidatin e “Aleancës për Qytetarin”, Lulzim Bashën dhe 83 vota për kandidatin e “Aleancës për të Ardhmen”, Edi Rama, me një diferencë prej 88 votash në favor të kandidatit të maxhorancës.