Lajme Shqip Wednesday, 27 April 2011 16:31

Tiranë – Të paktën 5 kërkesa për leje votimi për zgjedhjet e 8 majit janë depozituar në Gjykatën e Tiranës, bënë të ditur sot burime zyrtare nga Gjykata e rrethit.

Kërkesat janë bërë nga qytetarë që pretendojnë se emrat e tyre nuk figurojnë në listat e zgjedhësve për zgjedhjet lokale të 8 majit. Kërkesat e depozituara n Gjykatë do të merren në shqyrtim nga gjyqtarë që janë profilizuar në trajtimin e çështjeve civile.

Gjykata e rrethit të Tiranës, më e madhja në shkallë republike për nga numri i çështjeve që shqyrton në vit, tashmë ka fituar eksperience në trajtimin e këtyre çështjeve.

Në zgjedhjet e shkuara parlamentare, ato të vitit 2009, kjo Gjykatë, mbeshtetur në ligjin për zgjedhjet, mori në shqyrtim me dhjetra kërkesa për leje votimi, bërë nga qytetarë të ndryshëm që nuk arrinin të gjenin emrat e tyre në listat e zgjedhësve.

Trupa e gjyqtarëve të Gjykatës së Tiranës i shqyrtoi kërkesat rast pas rasti, duke marrë vendimet perkatese brenda një periudhe te shkurter kohore. Në këtë proces, pati edhe raste të rrëzimit të kërkesave, pasi rezultuan te pabaza.