Lajme Shqip Tuesday, 10 May 2011 18:28

Tiranë – Prezenca e uniformave blu të Tiranës në Vendin e Numërimit të Votave në KZAZ-në nr.54, e vendosur në shkollën “Avni Rustemi” në Tiranë, është bërë në përgjigje të Komisionit Qëndror të Zgjedhjeve dhe kërkesës së kësaj të fundit për ndihmë, për nxjerrjen jashtë të disa personave të paautorizuar për të qëndruar në vendin e numërimit të votave.

Në një deklarate për mediat, Policia e Tiranës informoi opinionin publik lidhur me problemet e krijuara në këtë qendër dhe sqaroi se “Shërbimet e Komisariatit të Policisë nr. 3 në Drejtorinë e Policisë së Tiranës, pasi kanë marrë në dorë nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, vendimin nr. 09, datë 10.05.2011, për thirrjen e policisë për të ndërhyrë, i firmosur me shumicën e anëtarëve të tyre dhe i vulosur nga ky Komision, kanë ndërhyrë për zbatimin e vendimit të Komisionit Qëndror të Zgjedhjeve.

Referuar burimeve mësohet se “veprimet e Policisë janë kryer në përputhje me Kodin Zgjedhor, Ligjin për Policinë e Shtetit dhe Udhëzimin nr.07 datë 23.03.2009 “Për detyrat e Policisë së Shtetit dhe forcave të ushtrisë në zgjedhjet për organet e qeverisjes vendore”, duke larguar nga ambienti i vendit të numërimit të votave personat e paautorizuar. Gjatë ndërhyrjes personat e paautorizuar u janë bindur urdhërave të ligjshme të policisë.

Në pritje të marrjes së vendimit të dytë të Komisionit Qëndror të Zgjedhjeve, për largimin e forcave të policisë nga vendi i numërimit të votave, Policia e Tiranës i kërkon palëve në procesin zgjedhor, mbështetësve apo simpatizantëve të subjekteve politike, që të mos bëhen burim apo pjesëmarrës incidentesh të mundshme.

Strukturat e Policisë në kryeqytet i sigurojnë të gjitha palët në proces se gjatë zbatimit të përgjegjësive ligjore të saj, vazhdojnë të udhëhiqen nga profesionalizmi, objektiviteti, paanësia dhe respektimi rigoroz i ligjit, duke pasur mbështjetjen dhe mirëkuptimin e qytetarëve.